Munishi kujton fillimet e një ylli si Rashica, na tregon edhe pse quhet “Baba”

Ismet Munishi është trajneri më i mirë i momentit në kampionatin e Kosovës, i cili me Ballkanin e tij ka arritur të hedhë nga froni të mëdhenjtë dhe të kryesojë Superligën e Kosovës. I intervistuar nga Super Sport, trajneri i Ballkanit kujton edhe kohën kur një yll si Milot Rashica stërvitej prej tij. Ai shprehet se talentin e sulmuesit të Verder Bremen e ka parë që në moshë shumë të re.

“Milotin kemi filluar me e aktivizu ende pa i mbushur 16 vjeç. Në sezonin e parë e kemi inkuadruar vetëm në pjesën e dytë pastaj në sezonin e dytë e kemi aktivizuar 90 minuta. Që atëherë e kemi vërejt se ka predispozita për tu bërë lojtar i madh, e ka përkrah e gjithë skuadra.

E ka përkrah i gjithë qyteti pasi të gjithë e kemi ditur se kemi një futbollist të madh. Është krenari ta shohësh atë në Bundesligë. Tani po e presim të transferohet në një skuadër më të madhe që të tregojë vlerat edhe me futbollistët më të mëdhenj të botës”, tha fillimisht ai.

Më pas ai u ngacmua edhe për nofkën e famshme “Baba i futbollit”, të cilën këngëtari Mc Kresha e përmend në një prej këngëve të tij dhe i gjithë opinioni sportiv në Kosovë e përdor vazhdimisht ndaj Munishit. Ai ka një shpjegim edhe për këtë.

“Unë e kam një nofkë të trashëguar jashtë futbollit, por është transferuar edhe në futboll tashmë. Tani po mundohem me e mbajt. Është pak vështirë, por tani duhet me mbajt”, përfundoi Ismet Munishi. /vipsport.al/