Milani “pastrohet” nga Covid-19, Paolo e Daniel janë shëruar

Familja Maldini ka kaluar dy javë shumë të vështira. Paolo dhe Daniele më datë 21 mars kanë rezultuar të prekur me koronavirus dhe janë detyruar të karantinohen në shtëpinë e tyre. Fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore nuk agravoi dhe të dy patën shenjat e lehta të Covid-19, pa pasur nevojë për një shërbim më të specializuar të mjekëve.

Gjithsesi, duket se tashmë ditët e vështira kanë përfunduar dhe babë e bir janë të shëndetshëm si më parë. Mediet italiane raportojnë se Paolo dhe djali i tij tashmë janë shëruar plotësisht nga virusi. Të dy pjesëtarë të klubit të Milanit, Paolo si drejtues e Daniele si lojtar, janë gati të nisin të mendojnë për të ardhmen.

Ish-mbrojtësi tashmë është i shëndetshëm dhe pritet të caktohet e ardhmja e tij në Milano, pasi periudha e fundit është karakterizuar nga tensione mes tij dhe Gazidis. Ndërkohe, Daniele me siguri do të rinisë gradualisht stërvitjen për tu rikthyer në gjendjen fizike të mëparshme. /vipsport.al/