Mesfushori i Erzenit, Kacmoli: Nuk jemi gati të rinisim menjëherë, klubi na ka ofruar garanci për pagat

Erzeni para se të ndërpritej aktiviteti ishte një skuadër me probleme dhe po mundohej të ringjitej aty ku e nisi këtë sezon. Megjithatë, me shumë mundësi kjo pauzë i ka ndihmuar ata për të reflektuar dhe kuptuar se çfare duhet të bëjnë më mirë. Në një intervistë për Vip Sport, mesfushori i Erzenit, Haxhi Kacmoli tregon se ardhja e trajnerit Dorian Bubeqi në krye të skuadrës ka ndikuar menjëherë në harmoninë brenda klubit.

“Në fakt pas ardhjes së profesor Bubeqit skuadra ka qenë në një gjendje më të mirë emocionale dhe më të bashkuar. Kjo ishte pikërisht ajo që na mungonte dhe ai na e solli. Mund të them se po bënim mirë në javët e fundit, por edhe te kjo periudhë ndërprerje mund të gjesh një anë të mirë. Tashmë që jemi pasivë arrijmë të dallojmë gabimet e mëparshme dhe do i eliminojmë në të ardhmen”.

Kacmoli tregon edhe për mënyrën sesi po e kalon këtë periudhë në izolim. “Fakti që e kam shtëpinë afër stadiumit të Shijakut më ka favorizuar shumë. I gjithë ekipi po stërvitet në grupe të vogla dhe brenda orarit të lejuar, por mund të them se unë kam pasur mundësi më shumë për tu trajnuar. Në shtëpi qëndrojmë më shumë se zakonisht dhe unë jam munduar të mbaj një regjim ushqimor për të ruajtur kilogramët. E dua futbollin dhe më mungon shumë, mezi pres të rinisë jeta normale.”

24-vjeçari tregon edhe në lidhje me situatën ekonomike në klubin e tij dhe pagat, që janë aq të rëndësishme, si burimi kryesor financiar i familjeve të futbollistëve. “Deri në këtë moment nuk kemi pasur probleme me pagat. Drejtuesit na janë gjendur pranë dhe na kanë dhënë garanci se do marrim edhe pagat e muajve, kur nuk kemi luajtur.”

Kacmoli këto ditë ka pasur edhe një shoqërues në stërvitje, mesfushorin e Teutës, Arbër Çyrbja. “Me Arbrin jemi miq që në fëmijëri. Jemi rritur bashkë dhe e ruajmë ende miqësnë. Shijaku është qytet i vogël dhe njihen të gjithë. Çyrben e kam marrë të stërvitemi në fushën e Shijakut dhe gjithashtu kemi kaluar edhe pak kohë bashkë”.

Megjithëse stërvitjen e ka kryer ndoshta më mirë se një pjesë shumë e madhe e futbollistëve në vendin tonë, përsëri Kacmoli mendon se duhet një kohë përgatitje para se të rinissë Kategoria e Parë. “Në sigurisht jemi stërvitur, por kemi menduar vetëm për anën fizike. Duhet një periudhë e caktuar për ta pasur trajnerin pranë në mënyrë që t’i rikthehemi edhe një herë çështjeve teknike. Nuk jemi të gatshëm të nisim menjëherë”, përfundoi Kacmoli. /vipsport.al/