Menaxheri italian i Hysajt i mahnitur: Dua të takoj kryeministrin Rama, shqiptarët e mbajnë fjalën

Mario Xhiufredi pret që sapo të përfundojë izolimi masiv në gjithë botën, të udhëtojë drejt Shqipërisë për të takuar kryeministrin Edi Rama. Menaxheri italian i Hysajt, Memushajt e Ndojit, ka pranuar se është ndjerë krenar kur ka dëgjuar për ndihmën e bluzave të bardha ndaj Italisë.

“Nuk jam një person që ndjek politikën, është një botë e cila nuk më ka pëlqyer kurrë. Por Edi Rama ka qenë një ndër të paktët politikanë, për të mos thënë i vetmi, i cili ka folur me zemër dhe jo sepse duhej të bënte një fjalim institucional. Kjo e nderon, atë dhe të gjithë popullin shqiptar që është mirënjohës ndaj italianëve. Në ditët e sotme mirënjohja nuk ekziston dhe harrojmë gjithçka shumë shpejt. Me të vërtetë u them bravo. Telefonova Hysajn dhe i thashë se sa të mbarojë gjithë kjo histori, kam ndër mend të njoh Ramën, pasi kur një person flet me zemër, është një burrë me kuptimin e plotë të fjalës. Në eksperiencën time, kam vënë re se shqiptarët e mbajnë fjalën e dhënë, njëlloj si ne napolitanët”, shpjegoi a për TMË.

I pyetur nëse kishte folur me Hysajn për të ardhmen te Napoli, ai theksoi se ky nuk ishte prioriteti. “Në ditët e sotme nuk bëhet fjalë. Kur të rifillojë të shihet drita në fund të tunelit atëherë do të mund të rifillojmë diskutimin, në ditët e sotme nuk flas as për para e as për kontrata. Të vetmet biseda që bëj me lojtarët e mi kanë lidhje me shëndetin dhe që t’i lë të kuptojnë se duhet jetuar me më shumë natyrshmëri. Gjithçka që po ndodh tani, sipas meje, është një ndëshkim i Zotit ndaj qënieve njerëzore, jemi mbyllur në shtëpi si minjtë. Kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se duhet të jetojmë jetën tonë pa e pasur gozhdë të ngulur në mendje egoizmin dhe të arrijmë diku. Duhet t’u gëzohemi gjërave të vogla dhe të vlerësojmë jetën që është dhurata më e bukur të cilën Zoti na ka dhënë”, tha Xhiufredi. /vipsport.al/