Mançester Siti nuk ndjek Liverpulin e Totenhem, të gjithë me rrogë të plotë

Klubi i Mançester Sitit u bë i pari në Premier Ligë që vendosi që stafin të mos e kalojë nën asistencë ekonomike qeveritare. Liverpuli dhe Totenhemi bënë lajmërim publik se i gjithë stafi administrativ dhe pjesa tjetër e punonjësve të klubit me përjashtim të lojtarëve, do të kalonin në asistencë sipas skemës qeveritare për sa kohë që vazhdonte kriza e koronavirusit.

Por Mançester Siti doli sot me një komunikatë ku bënte të ditur se i gjithë stafi i tij do të paguhej rregullisht pavarësisht problemeve të mëdha fiananciare. Shefi i administratës, Omar Berrada, ua kishte konfirmuar vendimin qindra punonjësve të klubit gjatë kësaj fundjave nëpërmjet një shkrese zyrtare që u kishte dërguar atyre.

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë njerëzit tanë, punët e tyre dhe biznesin tonë, ndërsa po bëjmë të pamundurën që të mbështetim edhe komunitetin tonë, në këtë kohë shumë të vështirë për këdo”, tha një zëdhënës i klubit. Ndërkohë, klubi po diskuton me lojtarët për shkurtmin e 30% të rrogës së tyre, me të drejtën e rikthimit të saj nëse sezoni do të vazhdojë, me një pjesë të parave që do të dërgohet si ndihma për qendrat spitalore në vend. /vipsport.al/