Luftë në Serinë A. Klubet shkurtojnë rrogat e lojtarëve, Sindikata: E turpshme!

Nis një luftë e mirëfilltë mes klubeve të Serisë A dhe lojtarëve, pasi në Asamblenë e Ligës është aprovuar shkurtimi i rrogave të futbollistëve. Një vendim i miratuar në unanimitet ku ka munguar Juventusi që kishte gjetur vetë marrëveshjen me futbollistët e vet që më parë. Por duket se gjithçka ka ardhur pa miratimin e lojtarëve të cilët i janë kundërvënë kësaj nisme, duke parashikuar një betejë të ashpër me drejtuesit.

Shkurtimi parashikon 1/3 e rrogave vjetore të lojtarëve nëse nuk rifillon kampionati, ndërsa ai do të transformohet në 1/6 të rrogave nëse rifillon, pasi parashikohet të luhet me dyer të mbyllura. Sipas Ligës, do të jenë vetë klubet që do të nënshkruajnë akordet përkatëse me futbollistët në javët në vijim.

Por Sindikata e Futbollistëve Italianë është kundër dhe zëvendëspresidenti Umberto Kalkanjo e ka cilësuar të papranueshëm këtë vendim. “Ky është një propozim i turpshëm dhe i papranueshëm. Tashmë është i qartë qëndrimi se duan që të jenë lojtarët ata që paguajnë për dëmet e mundshme të krizës”, tha ai, duke theksuar se futbollistët vështirë se do të pranonin kushtet e njëanshme. /vipsport.al/