Lojtarët e Serisë A me COVID-19/ Shumica e mposhtën sëmundjen, problematik ata të Juventus

Duke qenë se Italia ishte vendi i parë në Europë, ku koronavirusi u përhap me shpejtësi të madhe bëri që edhe shumë futbollistë të Serisë A të rezultonin pozitiv. Tashmë, kur kanë kaluar më shumë se dy javë, një sërë lojtarësh i janë nënshtruar testit të kontrollit për të parë nëse e kanë superuar plotësisht sëmundjen.

Kështu, Kutrone, Pecela dhe Vlahoviç nga Fiorentina mund të qëndrojnë të qetë, ashtu si edhe një pjesë e madhe e futbollistëve të Sampdorias si Gabiadini, Ekdal, Kolej, La Gumina, Torsbi, Berezinski, De Paoli dhe Bareto. Po ashtu me mendje të qetë mund të qëndrojnë edhe Zakanjo i Hellas Veronës.

Ndërkohë, shqetësimi është në kampin e Juventusit teksa Matuidi dhe Rugani vazhdojnë të jenë pozitiv me COVID-19 dhe ende nuk janë të rikuperuar plotësisht. Sakaq, Paulo Dibala, është në pritje të përgjigjes së testit, ashtu si po qëndron në pritje të një përgjigje edhe portieri i Atalantës, Sportielo. /VipSport.al/