Liverpuli kërkon falje publike dhe ndryshon vendimin që e turpëroi para gjithë botës: Ishte i gabuar!

Klubi i Liverpulit ka kërkuar falje publikisht për vendimin që mori pak ditë më parë për të kaluar në asistencë shtetërore pjesën më të madhe të stafit të klubit, për të kursyer në periudhën e krizës së koronavirusit. Shefi ekzekutiv Piter Mur, u desh që të bënte një letër të hapur ndaj fansave duke kërkuar falje dhe duke deklaruar se tani klubi kishte ndërruar mendje dhe nuk do të aplikonte këtë masë.

Vendimi i Liverpulit për ta bërë një gjë të tillë ndërsa kishte siguruar të ardhura rekord në vitin e fundit, i ktheu ata në të urryerit e Premier Ligës, pasi praktikisht po linin në baltë stafin e tyre, disa qindra persona që kishin punuar që djemtë e Klop të arrinin majën e futbollit në Europë.

“Fenway Sports Group”, kompania që zotëron Liverpulin dhe që është me bazë në Boston, nisi menjëherë diskutimet me drejtuesit në Angli, kryetarin e bashkisë së qytetit të Liverpulit si dhe me grupimet e fansave, pasi mësoi se vendimi kishte pasur një impakt shumë negativ jo vetëm në qytet, por në të gjithë vendin.

“Ne mendojmë se arritëm konkluzionin e gabuar në javën e kaluar kur lajmëruam se kishim si plan që të aplikonim skemën e asistencës për koronavirusin për stafin si pasojë e ndërprerjes së Premier Ligës dhe na vjen shumë keq”, shkruhej në letrën e hapur që u drejtohej tifozëve. Megjithatë, në letër theksohej se ndonëse Liverpuli ishte në kushte mjaft të favorshme financiare në këto momente, nuk mund të vazhdonte gjatë në të ardhmen, nëse nuk kthehej futbolli i luajtur, pasi kostot me të cilat përballej ishin shumë të larta, duke lënë të hapur rrugën për masa kaq drastike nëse kjo situatë vazhdonte për disa muaj. /vipsport.al/