Lampard, mesazh edhe për Armando Brojën: Nëse stërvitesh mirë, nuk të harrojmë

Të rinjtë do të kenë një rol qendror në planet e të ardhmes së Çelsit. Për këtë tashmë janë të bindur tifozët e klubit londinez, të cilët kanë parë se si Frenk Lampard u ka hapur dyert shumë të rinjve në këtë sezon të tij të parë, duke i dhënë mundësinë të stërviteshin e të debutonin me ekipin e parë, si në rastin e Armando Brojës i cili para shkëputjes së kampionatit arriti të shënonte emrin e tij mes protagonistëve të Premier Ligës.

Lampard ka insistuar sot se kjo strategji do të vazhdojë dhe se do t’u besojë të rinjve sapo të ketë mundësinë, për t’i ndihmuar të rriten e pse jo, të japin kontribut konkret me ekipin e parë. Ndaj sot ai ka dhënë një mesazh që u drejtohej këtyre lojtarëve që kishin arritur të siguronin besimin e klubit.

“Një prej gjërave të para që ne si staf teknik u munduam të bënim te Çelsi, ishte që t’i afronim. Deshëm edhe të shpërndanim idenë që nëse stërvitesh mirë në akademi, ne nuk të harrojmë, do të jesh nën mbikëqyrje dhe do të kesh mundësinë që të stërvitesh me ne”, ishin fjalët e Lampard.

Broja është një prej talenteve që shumë tifozë të Çelsit kanë kërkuar me zë të lartë që të bëhen pjesë e rregullt e bluve pas formës që kishte treguar me ekipet U18 dhe U23. Pas atyre minutave të parë ndaj Evertonit, nuk është çudi që Lampard t’i ofrojë më tepër mundësi aktivizimi në vijimin e këtij edicioni duke llogaritur se ai mund të mbyllet me ndeshje të ngjeshura dhe me nevojën e një rotacioni. /vipsport.al/

more recommended stories