Lakti: Presidenti i Fiorentinës më ka folur mirë për shqiptarët, kush merr Kumbullën bën biznes

Erald Lakti është huazuar këtë sezon te klubi i Gubios në Serinë C, megjithatë mesfushori shpreson se në sezonin pasardhës mund të ketë një mundësi me ekipin e parë të Fiorentinës.

Ndërkohë, në një intervistë për “Labaroviola”, thekson se kur ka takuar presidentin e vjollcëve, Komiso, ai i ka folur mirë për shqiptarët. Sakaq, për Kumbullën me të cilin ka luajtur te Shqipëria U-19, mesfushori shprehet se kush arrin ta transferojë do të bëjë një biznes shumë të mirë.

Takimi me Komison- “Komiso është një person i madh. Të transmeton të gjithë mirësinë që ka për secilin nga ne. Më ka thënë se ka takuar shumë shqiptarë dhe se të gjithë i janë dukur njerëz të mirë”.

Raporti me kombëtaren- “Kam debutuar me U-17. Pastaj erdhi koha e U-19 dhe U-20. Nuk kam kontakte me kombëtaren e U-21, por jam i datëlindjes 2000 dhe jam ende i ri”.

Kumbullën e ndjekin shumë skuadra, mes tyre edhe Fiorentina? “E njoh mirë Marashin, ai është i datëlindjes 2000 si unë. Kemi luajtur te ekipi i U-19, është një mbrojtës shumë i fortë në luftën ajrore dhe me shumë personalitet. Kush do ta marrë atë, do të bëjë një biznes shumë të mirë”.

Një ditë e juaja në karantinë? “Ndjek një regjim të zakonshëm. Zgjohem në mëngjes, konsumoj mëngjesin dhe më pas shoh televizion. Pasdite stërvitem, ndjek programin e përgatitur nga stafi atletik. Kërkojmë të jemi gati nëse vjen vendimi për të rifilluar”.

Ku e shikon veten pas një viti? “Ndërkohë, shpresoj të rikthem me Fiorentinën, dua të luaj kartat e mia duke pasur edhe një vit më shumë eksperiencë. Nëse pastaj vendosin për një huazim tjetër, atëherë do të jem gati dhe ta pranoj për t’u rritur më shumë derisa të meritoj fanellën vjollcë. Ëndërroj të vesh fanellën me numrin 8 një ditë”, u shpreh Lakti. /VipSport.al/

more recommended stories