Koronavirusi mund të jetë fati i sulmuesit kuqezi, i afron debutimin te ekipi i parë i Juventusit

Pandemia që ka pushtuar globin, çuditërisht mund të sjellë shansin e madh të karrierës për Xhiakomo Vrionin. Sulmuesi i talentuar i Shqipërisë, i është bashkuar në janar ekipit U23 të Juventusit, por për shkak të situatës, rrezikon që të mbyllë kampionatin para kohe.

Klubet e Serisë C, ku gjendet edhe ekipi i U23 i Juventusit, po mendojnë që të mbyllin kampionatin që tani, pasi nuk kanë kushtet e duhura për të siguruar që gjithçka të shkojë si duhet në stërvitje e ndeshje e për të shmangur infeksionet. Kjo do të detyrojë Juventusin që futbollistët që ka në këtë ekip të dytë, t’i shpërndajë e një pjesë t’i kalojë në dispozicion të ekipit të parë.

Kjo lëvizje bëhet për shkak se nëse rifillon Seria A, do të ketë një kalendar shumë të ngjeshur e rotacioni do të jetë thuajse i detyrueshëm për të mos krijuar probleme fizike te yjet e skuadrës. Kështu, Vrioni mund ta shohë veten si një alternativë për sulmin e ekipit të parë, përkrah emrave si Ronaldo, Dibala e Higuain, për periudhën e mbetur, duke e bërë mëse të mundshëm debutimin e tij me fanellën bardhezi në këtë edicion. /vipsport.al/