Këshilltari i UEFA-s: Futbolli të kthehet në fushë, mund të luhet me maska çiklistësh

Duhet kthyer apo jo futbolli në fushën e lojës në mes të pandemisë dhe si duhet të jenë të përgatitura skuadrat oër të luajtur në një periudhë të tillë të rrezikshme? Kjo është pyetja që po bëhet në çdo cep të globit ndërsa merret në konsideratë rikthimi i aktiviteteve. Sipas virologut të njohur belg, Mark van Ranst, është e mundur që të rifillojë futbolli me masa më të rrepta sigurie.

Eksperti i cili ka këshilluar edhe Ligën Belge rreth çështjes në fjalë dhe është një ndër pikat e kontaktit të UEFA-s, sugjeron se maskat mund të mbahen edhe nga futbollistët në fushën e lojës, pasi ka të tilla të cilat nuk pengojnë aspak aktivitetin.

“Një zgjidhje që duhet marrë në konsideratë është ajo për të luajtur me maska. Sigurisht, nuk po flasim për ato maskat kirurgjikale që janë tërësisht të papërshtatshme, në internet ka disa modele që janë kundër ndotjes, të cilat und të mbahen nga futbollistët. I përdorin lojtarët e futbollit amerikan apo çiklistët, ato janë shumë më të rehatshme”, tregoi ai për mediat belge. /vipsport.al/