Ka çmendur gjithë Europën, por Kumbulla është lojtari i tretë më pak i paguar në Serinë A

Marash Kumbulla është kthyer brenda pak muajsh nga një emër thuajse i panjohur në futbollin botëror, në një nga më të lakuarit. Paraqitjet e tij me Veronën i kanë siguruar shikueshmëri dhe e kanë kthyer në objektivin e merkatos së klubeve më të mëdha në kontinent. Gjigandët e La Liga, Premier Liga, Serisë A apo edhe Bundesligës kanë hedhur sytë nga shqiptari i cili nga “askushi” është kthyer në një nga emrat më të ndjekur në merkato.

Megjithatë, nuk duhet harruar se Kumbulla e nisi sezonin si një i panjohur dhe klubi e afroi gjatë verës si alternativë për mbrojtje, duke i garantuar një rrogë minimale futbollistit shqiptar, kjo është arsyeja se ai rezulton të jetë futbollisti i tretë me rrogën më të ulët mes profesionistëve të Serisë A.

Të dhënat zyrtare konfirmojnë se Kumbulla përfiton vetëm 50 mijë euro në sezon nga klubi i Veronës, një shifër qesharake po të llogaritësh se pritet që shitja e tij të sjellë në arkat e klubit rreth 20 milionë euro. Kuptohet që në klubin e ardhshëm, rroga e tij do të jetë shumë herë më e madhe.

Vetëm dy futbollistë të Breshias, Masimiliano Mangraviti dhe Lorenco Andreanaçi, përfitojnë më pak, rreth 40 mijë euro në vit. Por ndryshe nga Kumbulla, asnjë prej tyre nuk është një lojtar i spikatur në këtë sezon në Serinë A dhe as që i afrohet minutazhit të aktivizimit të mbrojtësit shqiptar. /vipsport.al/