Janku: Ja ditët në “karantinë”, Bylisi bën futboll të bukur edhe në transfertë

Stivian Janku luan sezonin e tij të dytë në Ballsh. Janku ka luajtur me moshat e Partizanit e më pas në Gjirokastër në Superiore. Pak hapësira te Luftëtari dhe mbrojtësi shkoi në Ballsh në Kategorinë e Parë duke kërkuar që të luajë më shumë. Zuri vendin e titullarit, e madje po luan edhe këtë sezon në Superiore me ballshiotët…

Karantina

Këtë periudhë të ndërprerjes se kampionatit, Janku po e kalon në familjen e tij në Delvinë. Aty ku edhe stërvitet në kushtet e shtëpisë. Ja si e nis ai prononcimin për “Vipsport”. “Ndodhem në qytetin tim në Delvinë po zbatojmë rregullat dhe po qëndrojmë në shtëpi pranë familjes. Patjetër që po e ndiejmë këtë mungesë të stërvitjes në grup, sepse ne jemi mësuar të rrijmë grup dhe të stërvitemi. Por shpresojmë që ta kalojmë këtë periudhë sa më shpejt”.

Programi

I pyetur se çfarë programi ndjek në këtë periudhë karantinimi, mbrojtësi shtatlartë nga Delvina që luan sezonin e tij të dytë në Ballsh ka shtuar se: “Po kryej ushtime në kushtet e shtëpisë duke bërë ushtrime fizike por edhe izometri, pompa, muskuj barku. Kuptohet që është ndryshe fusha, ndryshe shtëpia por duhet që të mbajmë trupin në formë…”

Aktivizimi

I pyetur në lidhje me aktivizimin këtë sezon në Superiore dhe se sa i kënaqur është, Stivian Janku ka pohuar në fund të prononcimit: “Duke parë performancën e Bylisit, apo dhe kualitetet dhe konkurrencën që ka skuadra jonë, natyrisht që jam i kënaqur. Shpresojmë të rifillojë gara sa më shpejt, sepse ne këtë sezon kemi synimet tona në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Bylisi luan futboll shumë të bukur, jo vetëm në shtëpi, por edhe në ndeshjen në transfertë, ku ne kemi marrë pikë, por edhe kemi fituar. Por më parë ta kalojmë këtë situatë për të qenë më të qetë edhe psikologjikisht…”

E.Saliu/Vipsport.al/