Ish-portieri i famshëm Rushtu po lufton për jetën, bashkëshortja: Lëkura iu bë gri, është një luftë

Para disa ditësh në grackën e COVID-19, ra edhe ish-portieri i Turqisë, Rushtu Reçber. Gardiani i cili erdhi edhe në Shqipëri me rastin e miqësores së veteranëve, e që në të kaluarën ka qenë pjesë e Barcelonës, tashmë është duke luftuar për jetën. COVID-19 është shfaqur në një formë të agravuar në këtë rast, ndërsa bashkëshortja Isil ka treguar edhe simptomat e para, teksa thekson se në një moment lëkura e Rushtu ka marrë ngjyrën gri.

“72 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira, dhe shpresoj se tashmë në vazhdim do të ketë përmirësim. Kapja e hershme e kësaj sëmundje është e rëndësishme. Virusi nuk qëndron në fyt apo në hundë. Ai lëviz shpejt dhe gjen banim në mushkëri, ku shumohet dhe fillon pneumonia. 72 orët e para janë shumë kritike. Rushtu ka pasur ethe për disa ditë.

Simptoma të çuditshme që nuk janë shfaqur më parë. Ai ishte i pafuqishëm, ishte i lodhur dhe kishte mungesë të urisë. Ndërkohë, lëkura e tij mori ngjyrë gri, ashtu si dhe buzët e tij. Ai merrte frymë shpesh dhe me vështirësi. Kishte një pulsim të parregullt, si dhe kollë të vazhdueshme”, tha bashkëshortja e Rushtu. /VipSport.al/