Ish-numri 1 i tenisit në botë tregon teorinë e komplotit për COVID-19: Bill Gejts e dinte, do na vendosin mikroçip

Si në çdo lloj ngjarje madhore në historinë e botës, edhe koronavirusi nuk i është shmangur teorive të komplotit dhe shpeshherë asaj i besojnë emra shumë të njohur. Një prej tyre duket se është edhe ish-numri 1 i tenisit në botë, rusi Marat Safin, i cili mendon se pandemia nuk ishte rastësore, por e planifikuar me qëllim.

“Gjithçka është përgatitur për të instaluar mikroçipe te njerëzit. Në vitin 2015, Bill Gejts deklaroi se do të kishte një pandemi, nuk besoj se ai është një parashikues fati. Të gjithë e dinin dhe po përgatiteshin, në Forumin Ekonomik të Davos janë bërë simulime dy javë para se virusi të njihej nga bota”, shpjegoi ai në një bashkëbisedim në Instagram.

“Njerëzit po kalojnë në panik dhe besojnë atë që u thotë televizioni. Të gjithë do të vaksinohen me nanoçipe. A janë qeveritë e mëdha konspiratore? Ka njerëz më të fuqishëm se sa liderët politikë. Ato që menaxhojnë në të vërtetë paratë janë pronarët e botës. Një qeveri hije e botës? Quajeni si të doni, Sidoqoftë janë gjëra që nuk po i shpik unë, e kemi gjithçka në internet”, ishin fjalët e tij rreth teorisë që qarkullon rreth koronavirusit. /vipsport.al/