Ish-mbrojtësi i Skënderbeut, tani në Suedi, Aliti: E çuditshme si Suedia nuk ka reaguar si shtetet e tjera

Suedia është një nga ato shtete si Bjellorusia e cila ka ndjekur një tjetër politikë në lidhje me Covid-19. Nëse në të gjithë botën për të siguruar jetën e njerëzve, është marrë vendimi për t’u izoluar nëpër shtëpia, në Suedi i kanë lënë njerëzit të lirë në lëvizjen e tyre teksa kërkohet që populli të fitojë imunitet ndaj koronavirusit dhe në momentin kur sëmundja të rikthehet, atëherë ata të jenë të imunizuar.

Ndërkaq, në Suedi ende nuk ka nisur kampionati i futbollit, ndërsa në këtë kampionat bën pjesë edhe ish-mbrojtësi i Skënderbeut, Fidan Aliti, i cili aktivizohet me Kalmar. Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës në një prononcim në televizionin KTV, është shprehur i habitur me faktin se si Suedia nuk ka marrë masa, ashtu si gjithë vendet e tjera.

“Është pak e çuditshme se si shteti deri më tani nuk ka reaguar sikurse shtetet e tjera të Evropës. Duke e parë situatën në të cilën janë shtetet e tjera, sigurisht që duhet të kemi më shumë kujdes. Mirëpo, këtu në Kalmar situata është më e qetë dhe ka më pak të infektuar nga koronavirusi. Por, në qytetet e tjera më të mëdha ka më shumë të infektuar”, tha Aliti.