Ibra “show”, suedezi stërvitet me ekipin në pronësi ku është president

Sapo përhapja e koronavirusit mori përmasa të mëdha në Itali, Ibrahimoviç veproi menjëherë dhe udhëtoi drejt Suedisë për të qenë më i sigurt dhe pranë familjarëve të tij. Përveç kësaj, sulmuesi ka përfituar një tjetër të mirë në qëndrimin e tij në Suedi.

Koronavirusi ka një përhapje më të vogël në vendin skandinav dhe masat janë më pak të rrepta se në Itali. Kështu, Ibra prej ditësh ka dalë në stërvitje me ekipin, i cili është në pronësi të tij, Hamarbi.

Ai ka zhvilluar stërvitje të plotë dhe po favorizohet shumë më shumë se shokët e tij në Milano, që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Muaj më parë ai u bë pronar i klubit të njohur suedez dhe tashmë me shumë mundësi është presidenti i parë i një klubi, që vendos të stërvitet me ekipin. /vipsport.al/