I ka mrekulluar anglezët, Dobra pranë rinovimit afatgjatë me Ipsuiç

Armando Dobra erdhi këtë sezon në provë te Ipsuiç, që vendosi t’i akordojë një kontratë njëvjeçare me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër. Ende pa mbaruar sezoni, drejtuesit e klubit janë shumë të kënaqur me nivelin e treguar nga i riu shqiptar dhe po punojnë për të hartuar një kontratë afatgjatë për të.

Mediet angleze raportojnë se drejtusit dhe lojtari kanë arritur dakortësinë nga karantina dhe në ditët në vazhdim pritet të lançohet rinovimi i Dobrës edhe për katër vitet e ardhshme me aspektin financiar ndjeshëm më të përmirësuar. Dobra këtë sezon ka qenë pjesë e të rinjve, teksa ka tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit të skuadrës së parë, që e ka thirrur në nëntë ndeshje djaloshin.

Zhdërvjelltësia dhe finalizimi i fantazisitit e ka bindur klubin e League One të rinovojë me talentin kuqezi. Ky nxitim nga ana e tyre vjen edhe për shkak se një sërë skuadrash janë të interesuara për të, mes tyre edhe një klub që luan në Premier League. Brajton ofroi 500 mijë euro në merkaton e dimrit për Dobrën, por mori një refuzim nga Ipsuiç, që kurrsesi nuk dëshiron të heqë kaq shpejt dorë nga Dobra. /vipsport.al/