Gjici flet për rrogat dhe Ramën: Presim të na ndihmojnë, Drejtorin e Partizanit e presim

Ndërkohë që futbolli është pezulluar, duket se një pjesë e klubeve janë me sytë nga Qeveria Shqiptare dhe nga FSHF për t’i ndihmuar në këtë periudhë tranzicioni. Lidhur me deklaratat e Kryeministrit Rama ditët e fundit, apo edhe çështjen e pagave ka folur edhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici në “Top-Chanel”. “Në këto momente unë nuk kam qenë afër futbollit apo Federatës, sepse kam qenë në krye të punëve në Bashki. Klubet kanë kontaktuar me FSHF-në dhe janë disa hipoteza, unë jam kundër mbylljes së kampionatit dhe vendosjes në fushë. Le të fillojë kur të dojë, në fillim është jeta pastaj futbolli”.

Rrogat

Ditët e fundit kanë qarkulluar zëra se te Kukësi ka që në janar që lojtarët nuk paguhen. Por Gjici ka theksuar se: “Nuk i kemi shpërndarë akoma, pasi kjo varet nga Covid-19. Presim gjithashtu çfarë ndihmë do të na japi FSHF-ja, shteti apo edhe UEFA.  Të gjitha klubet nuk mund t’i përballojnë këto shpenzime sepse është një dëm i madh që u është bërë klubeve”.

Ftesa

Pak kohë më parë në një dalje për mediat, ai i bëri ftesë drejtorit të Partizanit, Olsi Rama që të bëhej pjesë e Kukësit. I pyetur nëse ka dëshirë që ta ketë në organikën e klubit të tij, Gjici shtoi: “Olsi Rama te Kukësi? Ai e ka derën e hapur sepse ia ka marrë dorën këtyre punëve tani. Oferta që i kam bërë është ende në fuqi”.

Kryeministri

“Në fillim është jeta e njerëzve pastaj futbolli. Është normale që ne do e kalojmë edhe këtë luftë e do të merremi përsëri me futbollin. Nuk e di si është dhënë deklarata, por unë mendoj se edhe futbolli duhet ndihmuar. Rama është edhe vetë tifoz futbolli, përveç i Juventusit është edhe tifoz i Partizanit”, – u shpreh në fund të deklaratës së tij, presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici.

E.S./VipSport.al/