Gati dekreti shtetëror që ringjall Serinë A, caktohen 3 fazat për të kthyer futbollin në prill

Futbolli italian mund të të kthehet shumë më shpejt sesa mendohet, edhe pse për të parë ndeshje, duhet pritur deri në fillimin e muajit qershor. Nesër do të miratohet dekreti shtetëror i cili do t’u mundësojë klubeve që të nisin programet për kthimin në fushë, të paktën sa u përket ekipeve të Serisë A që mund të plotësojnë disa kushte.

Sipas Sky Sport, lojtarët e Serisë A mund të jenë që në muajin prill në stërvitje, e cila parashikohet që të bëhet me tre etapa të veçanta në varësi të evoluimit të përhapjes së infeksionit në shoqërinë italiane. Hapi i parë do të jetë ai i kthimit në qendrat stërvitore për të kryer testet fizike e mjekësore të dëtyrueshme, jo vetëm për koronavirusin, por edhe për të parë gjendjen e tyre pas një periudhe të gjatë shkëputje.

Sipas komisionit mjekësor shkencor, klubet duhet të ndjekin tre hapa. I pari është ai i testeve individuale mjekësore, që mund të kryhet në ditët e fundit të prillit. Faza e dytë është ajo e zhvillimit të stërvitjeve, por vetëm me grupe të vogla dhe sigurisht me të gjitha masat e sigurisë. Ndërsa faza e tretë, që afron edhe kthimin e futbollit të vërtetë, është ajo e zhvillimit të stërvitjeve me grup të bashkuar. Kjo e fundit është plotësisht në varësi të situatës me infeksionin në të gjithë territorin e Italisë e jo në zona të veçanta, pasi qeveria ka bërë të qartë se lejimi ose do të bëhet në të gjithë territorin, ose në asnjë pjesë të tij. /vipsport.al/