FOTO / Renditjet e reja post-koronavirus, ja sa vlejnë tani klubet e Superiores

Kategoria Superiore nuk do t’i shmanget krizës së rëndë financiare botërore, pasi do të vuajë edhe ajo rënien e vlerave të tregut të futbollistëve. Me përditësimet e fundit të kryera nga portali i “Transfermarkt” si pasojë e krizës, rezulton se edhe elita e futbollit shqiptar ka pësuar rënie të ndjeshme të vlerave të saj e tashmë kap në total vetëm 38,08 milionë euro. Kjo është një shifër shumë e vogël po të krahasohet me vitet e kaluara, ku Superiorja kalonte 50 milionë eurot mes 10 skuadrave të saj.

Klubi më i vlefshëm vazhdon të mbetet ai i Partizanit. Të kuqtë kryeqytetas tani përllogariten se kanë në dispozicion futbollistë me një vlerë prej 5,75 milionë eurosh. Kampionët në fuqi mbeten i vetmi klub që kalon mbi 5 milionë euro në vlerën totale të skuadrës.

Pas tyre gjendet tashmë Kukësi, me 4,63 milionë euro vlerë, ndërsa jo shumë larg është Tirana kryesuese me 4,43 milionë euro vlerë totale të futbollistëve për sezonin 2019-2020.

Vendi i katërt dhe i pestë u takon dy skuadrave që u ngjitën në këtë edicion në Superiore, Bylisi e Vllaznia, me ballshiotët që kanë kaluar vlerën 4 milionë euro, fryt i një pune shumë të mirë që kanë bërë në rekrutimin e elementëve pas kthimit në elitën e futbollit shqiptar.

Më pas janë me radhë Laçi, Teuta e Skënderbeu, ndërsa mbyllin tabelën ashtu siç pritet, Flamurtari dhe Luftëtari, me këtë të fundit që regjistron një vlerë totale prej më pak se 1,5 milionë eurosh. /vipsport.al/