FOTO / COVID-19 ul vlerat e lojtarëve të Superiores, një emër i ri në krye të listës

Koronavirusi po pasohet si asnjëherë më parë nga një krizë e mirëfilltë globale ekonomike dhe futbolli nuk do të përjashtohet nga ajo, duke u ridimensionuar ndjeshëm në realitetin e ri që është krijuar si pasojë e pandemisë. Vlerat e futbollistëve në të gjithë botën janë ulur e kështu edhe të lojtarëve që militojnë në Kategorinë Superiore, ku thuajse të gjithë kanë pësuar një rënie mes 10%-20% të vlerës së tyre.

Kështu, në përditësimin e fundit të “Transfermarkt” si pasojë e krizës, ka pasur një rënie të vlerave të të gjithë futbollistëve dhe ka pasur ndryshim edhe në renditjen e atyre që janë lojtarët më të vlefshëm të Superiore. Kështu, në vendin e parë tani është ngjitur talenti i Teutës dhe kombëtares Shpresa, Sherif Kallaku, i cili vlen 500 mijë euro dhe është i vetmi futbollist që arrin gjysmë milioni euro.

Ai ndiqet nga një treshe lojtarësh, me Vasil Shkurtajn, Kristal Abazjan e Lorenc Trashin që ndajnë të gjithë të njëjtën vlerë të merkatos, 450 mijë euro, për kartonët e tyre. Më pas janë dyshja e Partizanit, Mala-Bardhi, që vlerësohen të dy nga 425 mijë euro e më tej Nuabueze (400 mijë), Kordeiro (357 mijë) e Gavazaj (350 mijë).

Bie në sy se si tashmë vendin e 10 në renditje e ndajnë 5 futbollistë njëkohësisht: Hasani, Çinari, Belica, Bregu dhe Rroca, të cilët vlejnë të gjithë nga 325 mijë euro sipas këtij portali të njohur për caktimin e vlerave të tregut të futbollistëve. /vipsport.al/