Fondi i miratuar nga UEFA për klubet, ja sa përfitojnë Partizani dhe Laçi

Partizani dhe Laçi janë dy klubet e vetme të Kategorisë Superiore të cilat do të përfitojnë nga fondi i lëvruar sot nga UEFA në ndihmë të klubeve për të përballuar krizën financiare të shkaktuar nga bllokimi prej koronavirusit. Këto janë të vetmet skuadra të cilat kanë pasur lojtarë në kualifikueset e EURO 2020 e si rrjedhojë do të përfitojnë financiarisht nga ndihma e organizatës ndërkombëtare.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se do të paguajë rreth 70 milionë euro para aktivitetit, ndërsa pjesën tjetër pas përfundimit të tij, për një shumë që arrin 200 milionë euro. UEFA i paguan klubeve një shifër të caktuar për çdo ndeshje në të cilën një futbollist ka qenë i pranishëm në 23-she, jo detyrimisht në fushën e lojës, pasi ai cilësohet pjesë e grumbullimit, ndërsa nuk paguan për lojtarë që kanë qenë të grumbulluar por kanë qëndruar në tribunë. Sipas informacioneve që ka siguruar VIP Sport, shuma bazë është 4307 euro për futbollist për ndeshje ku ka qenë i pranishëm në protokoll.

Kësisoj, rezulton se klubi i Partizanit do të përfitojë një total prej 60298 euro nga ndeshjet në të cilat Alban Hoxha (9 ndeshje) dhe Lorenc Trashi (5 ndeshje) kanë qenë të pranishëm në protokoll në kualifikueset e EURO 2020. Ndërkohë, klubi i Laçit përfiton vetëm 17228 euro nga ndeshjet në të cilat Gentian Selmani (4 ndeshje) ka qenë në protokollin e përfaqësueses A në këto sfida, kurse 8614 euro i shkojnë klubit të Menemenspor për portierin, pasi në pjesën e dytë të eliminatoreve ai u transferua në Turqi. Nuk dihet ende nëse UEFA do të paguajë shumën e plotë që u detyrohet klubeve, apo një pjesë të saj. /vipsport.al/