Dy kundërshtarë në një shtëpi, Lulaj e Vangjeli “kapen” për kampionatin

Përveç Doka-Abazaj, aksi Tiranë-Kukës ka një tjetër dyshe të pandarë. Bruno Lulaj dhe Kristi Vangjeli janë shokë të ngushtë prej vitesh dhe kalojnë shumë kohë me njëri-tjetrin. Madje në këtë periudhë karantine, mbrojtësi bardheblu ka vendosur të jetojë në shtëpinë e Lulajt, për faktin se familjarët e tij janë në Greqi. Të kontaktuar në Super Sport, të dy kanë folur rreth shanseve të skuadrave të tyre për Superligën, ku kanë krijuar edhe një situatë mjaft konkuruese.

Kristi Vangjeli

KARANTINA- Më mungon shumë familja, nga një anë kam rënë qetësi, pasi kur janë ka zhurmë dhe të lodhin, por nga ana tjetër edhe më mungojnë. Nuk kam marrë mundimin, duke parë rregullat për t’u larguar, gjithashtu nuk kam rrezikuar që të marr familjen këtu, pasi nuk i dihet kë takojmë. Për momentin po qëndroj me Lulajn dhe po mbështesim njëri-tjetrin.

KAMPION?- Çdo ekip nuk do ta fillojë aty ku e ka lënë. Në këtë aspekt besoj se kjo na penalizon pak, por shpresoj të jemi në gjendjen optimale, nëse fillon kampionati. Duhet të marrim 2-3 fitoret e para për të vazhduar rrugën drejt titullit e nëse fitojmë nuk do t’i japim shanse kundërshtarit.

FESTA- Do e festoja ashtu si e feston Tirana me tifozët e saj. Kjo është kënaqësia më e madhe. Për atë arsye kam ardhur të Tirana.

DITËLINDJA E LULAJT- I kam bërë një dhuratë Lulajt meqë kam ditëlindjen sot edhe pse nuk ia kam blerë dhuratën akoma pasi janë dyqanet mbyllur.

Bruno Lulaj

TATUAZHET- Kam një tatuazh për Vangjelin pasi kam bërë numrin 32 në krahë.

KUKËSI KAMPION?- Kemi shanset tona deri sa matematika na e lejon. Besoj se këto 9 pikë mund t’i kthejmë në favorin tonë e në fund ta fitoj unë kampionatin dhe jo Kristi.

JETA PRIVATE- Kam jetuar edhe më parë në Tiranë kur kam qenë te Laçi. Jetën private preferoj ta mbajë private. /vipsport.al/