Diskutimi me UEFA-n u kthye në zënkë online. OBSH I kërkoi që të mos luhej në Europë deri në 2021

UEFA insiston që të çojë përpara sezonin futbollistik, si sa u përket kampionateve kombëtare, ashtu edhe aktiviteteve ndërkombëtare. Me sa duket, këtë po e bën kundër udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e cila pak ditë më parë i ka kërkuar asaj që të dekretojë mbylljen e çdo aktiviteti futbollistik në Europë deri në fillimin e vitit të ardhshëm.

Sipas mediave braziliane, një video-konferencë mes drejtuesve të lartë të UEFA-s, përfaqësuesve të disa klubeve të rëndësishme dhe zyrtarëve të OBSH, është kthyer në një zënkë të mirëfilltë ku nuk kanë munguar kërcënimet e tonet e ndezura. “Veja” bën të ditur se në këtë mbledhje, dy nga ekspertët e OBSH kanë bërë parashikmet e tyre se rreziku i infektimit gjatë kthimit të ndeshjeve në muajt në vijim ishte shumë i lartë dhe se për këtë arsye, do të ishte më mirë që në vitin 2020 të mos kishte ndeshje. Ky propozim është hedhur menjëherë poshtë nga pala europiane, që ka refuzuar kategorikisht duke bërë të qartë se industria e futbollit në kontinent do të humbiste mbi 4 miliardë euro, me pasoja të parikuperueshme.

I njëjti burim tregon se mbledhja që duhej të zgjaste një orë, kaloi 2 orët e gjysëm dhe kishte vazhdimisht shpërthime të tensionuara. Në një moment, një nga përfaqësuesit e një prej klubeve të njohura europiane, pyeti se pse nuk mund të luhej me dyer të hapura dhe kur mund të ndodhte një gjë e tillë. Një tjetër i shpjegoi se në rast infeksioni të një tifozi, shitja e të gjitha aseteve të klubeve nuk do të mjaftonte pet shumat që duhej të paguanin për zhdëmtimet financiare që duhej të bënin pasi kishin vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Në fund, OBSH dhe UEFA e mbyllën këtë bisedë që është zhvilluar më 15 prill në llogore krejtësisht të kundërta. Por organizata që drejton futbollin në Europë nuk e ka me detyrim që të pranojë udhëzimet apo sugjerimet e saj, ndaj ka vazhduar në rrugëtimin që ka nisur. Ajo në fakt u ka kaluar topin Federatave anëtare, edhe pse ka insistuar që të gjitha të mundohen me çdo mënyrë që të mbyllin këtë sezon në fushën e lojës. /vipsport.al/