COVID-19 komplikon të ardhmen e Bares, te Malaga pritnin oferta për mesfushorin

Koronavirusi do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme në panoramën e futbollit botëror, si pasojë e gropës së madhe financiare që ka shkaktuar thuajse kudo. Në mënyrë direkte, kjo pandemi do të ndikojë edhe të ardhmen e futbollistëve të veçantë, të cilët ishin kthyer në objektiv të merkatos së klubeve në liga të rëndëishme.

Një prej tyre është edhe Keidi Bare, i cili pritej që në verë të transferohej në një nga klubet e La Liga. Mesfushori i cili ka shkëlqyer te Malaga kishte disa oferta që në janar por klubi vendosi ta mbante deri në mbyllje të edicionit, duke besuar se vlera e tij do të rritej, por me ndalimin e kampioantit dhe me dobësimin e financave të klubeve të ndryshme, tani e ardhmja e Bares vihet përsëri në dyshim.

Klubet e interesuara për të mund të tërhiqen, si pasojë e situatave financiare, ndaj mediat pranë klubit të Malagas hedhin dyshime nëse ai mund të largohet në verë. Kjo komplikon njëkohësisht edhe situatën e klubit i cili ka nevojë për likuiditete financiare për të paguar borxhet që ka, pa llogaritur ata që do të rrjedhin si pasojë e koronavirusit.

Ndaj kjo verë që pritej të ishte shumë interesante për Baren, mund të kthehet në një ku do të mbretërojë pasiguria pasi nuk di nëse do të largohet drejt elitës në Spanjë, apo nëse do të rrezikojë falimentimin me klubin duke rënë nga kategoria. /vipsport.al/