Çani: Shqiptarët nuk e braktisin një mik në vështirësi. Emocion debutimi në Serinë A, zëvendësova Kavanin

Sulmuesi Edgar Çani, është ndjerë mjaft mirë nga gjesti i Shqipërisë për të dërguar 30 mjekë e infermierë drejt Italisë, në këtë moment të vështirë nga koronavirusi. Çani është shumë i lidhur me Italinë duke qenë se është transferuar atje kur ka qenë vetëm 11-muajsh, ndërsa në një intervistë të fundit ka kujtuar me nostalgji edhe debutimin e tij me Palermon kur ishte 19-vjeç teksa ka zëvendësuar Kavanin.

 “Nuk jemi të pasur, por memorien e kemi. Shqipëria nuk harron dhe shqiptarët nuk e braktisin një mik në vështirësi. Sot më shumë se kurrë, jemi në një realitet. Fjalët e kryeministrit tonë më kanë emocionuar, duke më sjellë në mendje sakrificat e prindërve tanë dhe duke më kujtuar se kush jam e nga vij. Kur u nisëm nga Shqipëria nuk kishim asgjë, Italia na ka pritur si bijtë e vet dhe tani jam i lumtur”.

Emigrimi drejt Italisë- “Për ne ishte udhëtimi drejt lirisë, unë isha vetëm 11-muajsh, kështu që nuk mbaj mend asgjë përveç atyre që më tregojnë prindërit e mi. Kemi qëndruar për 10 ditë brenda në ambasadë. Gati një mijë persona në një hapësirë të vogël, aty flinim të gjithë dhe ushqeheshim një herë në ditë. U transferuam në afër Peruxhias, ku mamaja ime filloi të punonte si eksperte mekanike, ndërsa unë nisa futbollin kur isha pesë vjeç. E nisa nga Kortona, Peskara më vuri re por nuk munda të regjistrohesha për shkak se nuk isha europian. Për një vit luajta me të rinjtë e Peskarës dhe më pas vitin tjetër luajta me ta në Serinë C”.

Palermo- “Një ëndërr e bërë realitet për mua. Isha 19-vjeç dhe para meje ishte Amauri në kulmin e karrierës së tij, një Kavani i ri dhe pastaj Mikoli e jankoviç. Ende e mbaj mend debutimin tim në Serinë A. Ishte 27 prill i vitit 2008 në ndeshjen mes Palermos dhe Atalantës. 20 minuta nga fundi trajneri Kolantuono, më dha një të goditur në të pasme për të më dhënë zemër dhe më aktivizoi në vend të Kavanit. Mendimi im i parë në fushë? Mendimi i parë ishte për prindërit e mi. Ishte Ldiçka e madhe për ta”.

Rikthimi në Itali pas aventurës me Lids- “Në atë moment në Angli, kisha nevojë për vazhdimësi dhe vendosa të kthehesha në Serinë C te Pisa. Ishte zgjedhja e duhur. Me Gatuzon kam jetuar një ëndërr. Një njeri me shumë vlera të cilin e falenderoj shumë. E ardhmja? Mezi po pres të kthehem në fushë, por më e rëndësishmja është t’i kthehemi normalitetit. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë”, u shpreh Çani. /VipSport.al/