Cana: Dua të bëhem drejtor sportiv i Marsejës, jam për vetëm një kombëtare të përbashkët

Lorik Cana është një nga më të mirët e epokës së tij në kombëtaren kuqezi dhe gjithmonë do të jetë ai modeli i duhur për tu ndjekur nga kapitenët që do vijnë në vazhdim. Ish-ylli i Marsejës e një sërë klubesh të mëdha në Europë ka folur për një sërë çështjesh. Në të ardhmen dëshiron të bëhet drejtor sportiv dhe lojtari më i talentuar i Shqipërisë në brezin e tij është Ervin Skela.

KARANTINA- Natyrisht që po rrimë brenda dhe kemi minimizuar lëvizjet. Këto ditë po i shfrytëzoj për të ndenjur më shumë me familjen dhe për t’u marrë më shumë edhe me djalin tim. Gjithashtu kam pasur kohë të mjaftueshme për të ndenjur në kontakt me familjarët, farefisin dhe rrethin miqësor. Kam ndihmuar shumë edhe djalin, për të bërë sa më shumë ushtrime, pasi ai ka një moshë, ku harxhimi i energjive është domosdoshmëri.

STËRVITJA- Disi më pak. U bënë 4 vite që kam lënë futbollin dhe vetëm vitin e parë shtova 14 kg, të cilat i kam ende në trup, pavarësisht aktivitetit që kryej.

DJALI FUTBOLLIST?- Babai ka bërë një karrierë brilante, duke u bërë i njohur në Kosovë e Shqipëri, ndërsa prej tij mora edhe unë shtysën e frymëzimin, për t’u marrë me futboll. Do të doja që edhe djali im të bënte karrierë në këtë sport, por është ende herët për të parë nëse ka të dhëna apo ka prirje për diçka tjetër.

EUROPIANI- Më vjen keq, sepse bëmë paraqitje mjaft të mira, me përjashtim të 15 minutave të para kundër Zvicrës, ku patëm një emocion të tepruar, që nuk e menaxhuam dot. Do të doja shumë të luaja edhe kundër Francës, pasi ndeshja ishte programuar për në Marseille, një qytet special për mua. Para ndeshjes me Rumaninë, fola me lojtarët dhe u thashë që ajo mund të ishte ndeshja ime e fundit me Kombëtare, por edhe e fundit në karrierë, ndaj të gjithë dhanë maksimumin në fushë dhe për fat ia dolëm të marrim një fitore.

DREJTUES TE MARSEJA?- Asnjëherë nuk i dihet, pasi ai është një pozicion të cilin e kam parasysh kur mendoj për të ardhmen. Unë mbetem i angazhuar në futboll dhe e ardhmja ime do të jetë aty, ndaj për momentin nuk dua të përjashtoj asgjë.

VDEKJA E ISH-PRESIDENTIT TË MARSEJËS– Më erdhi vërtetë shumë keq, pasi e kishim një mik të familjes. Ai ishte mik me babanë tim e mik me mua, ndaj kishim një komunikim të vazhdueshëm. Kohët e fundit kishte shprehur dëshirën për të më pasur në grupin e tij drejtues, por nuk qe e thënë të realizohet.

VETËM NJË KOMBËTARE- Sigurisht që po. Unë mendoj gjatë dhe shoh larg, ndaj them me bindje që nuk ka pse të kemi dy Kombëtare, kur jemi një komb. Jo vetëm unë, por shumica e shqiptarëve mendojnë se duhet vetëm një kombëtare dhe ajo kuqezi e ka bërë më së miri detyrën për të përfaqësuar kombin shqiptar.

MOMENTET E VEÇANTA ME SHQIPËRINË- Kam fiksuar vitin 2002, kur zhvillua një vëllazërore me Kosovën, ndeshjen në Zvicër, ku edhe debutova në pjesën e dytë me fanellën kuqezi, si dhe ndeshjen me Armeninë, ku siguruam kualifikimin për në Kampionatin Europian.

MË I MIRI SHQIPTAR QË KE LUAJTUR?- Unë kam pasur fatin të luaj me një gjeneratë futbollistësh mjaft të talentuar dhe e kam të vështirë të zgjedh vetëm një, por nëse duhet të them një emër, por zgjedh Ervin Skelën. /vipsport.al/