Bjellorusia vazhdon futbollin, ultrasit e skuadrës së sulmuesit shqiptar ndërgjegjësohen: Qëndrojmë në shtëpi!

Në Bjellorusi jeta vazhdon. Përtej koronavirusit, vendi ka vendosur të mos izolohet ashtu si e gjithë bota dhe të shpërfillë virusin vdekjeprurës. Kjo jo se në Bjellorusi nuk ka raste me COVID-19, madje rastet janë shtuar duke shkuar në 163, teksa janë regjistruar edhe dy të vdekur. Por, presidenti Lukashenko ka dhënë zgjidhjen duke u shprehur se për të luftuar virusin mjafton të pihet vodka.

Në këtë formë, ashtu si edhe të gjithë fushat e tjera, në Bjellorusi vazhdon edhe futbolli. Sigurisht, me dyer të hapura për tifozët. Megjithatë, së fundmi një nga grupimet e ultrasve të skuadrave, ekzaktësisht të Shaktjor Soligorsk, janë ndërgjegjësuar dhe kanë kërkuar që edhe mbështetësit e skuadrave të tjera të qëndrojnë në shtëpi për të mos përhapur virusin.

“Qëndrojmë në shtëpi, reduktojmë rrezikun e përhapjes së koronavirusit. Mbrohuni, të mbrojmë edhe të dashurit tonë”, ishin fjalët e ultrasve të Shaktjor Soligorsk. Në skuadrën e Shaktjor Soligorsk aktivizohet edhe sulmuesi Azdren Llullaku.

Madje, futbollisti i kombëtares para pak ditëve është shprehur se ende nuk e kupton se çfarë pritet për t’u ndërprerë kampionati, ndërsa ndjen frikë nga e gjithë kjo situatë. E në këtë rast, ndoshta tifozët e Llullakut, mund të ndikojnë që edhe vendi të ketë një qasje tjetër ndaj COVID-19. /VipSport.al/