Beqiri: Shqipërinë do e shohim përsëri në Europian, me Greqinë e Rusinë kam kujtimet më të bukura

Trajneri i kombëtares së grupmoshës U17, Elvin Beqiri ishte i ftuar ditën e sotme në emisonin “Fan Zone” në Super Sport, ku foli për situatën aktuale, Vllazninë, kujtimet në kombëtare e brezin aktual të kuqezinjve.

STËRVITJA– Lojtarët po stërviten, por jo në kushtet optimale. Si të gjithë qëndrojnë në shtëpi dhe presin që të përfundojë kjo situatë. Ata duhet të jenë gati për rinisjen e kampionatit.

SITUATA PREJ KORONAVIRUSIT- Sigurisht që kjo gjendje, jo vetëm për mua, por për të gjithë është një gjendje ngërçi. Nuk punojmë dot si përpara. Është një situatë që po e kalon e gjithë bota. Puna jonë është me periudha, çdo muaj, ose çdo dy muaj. Po mundohemi të jemi aktivë me kolegët, por edhe me lojtarët. Po japim udhëzime dhe po interesohemi për gjendjen e tyre. Jemi duke u munduar t’u plotësojmë ato boshllëqe që kanë për momentin.

VLLAZNIA E KËTIJ SEZONI- Faktikisht ka pasur disa luhatje gjatë kampionatit. Në atë moment që ishte mirë u ndal edhe kampionati. Kisha besim se do ngjitej në klasifikim, për t’u ngjitur në mes dhe për të mos rrezikuar. Ekipi është i plotësuar, edhe stafi punon goxha. Trajneri Jonuz po mundohet të bëjë më të mirën e tij, që të mos kalojë stresin e para dy viteve, kur ramë nga kategoria. Shpresoj të dalim nga kjo gjendje ne dhe ekipi.

KUJTIMET ME KOMBËTAREN– Kemi kujtime të bukura. Kemi bërë shumë ndeshje të mira. Kujtoj disa prej tyre, por më pikantet janë ajo me Rusinë dhe ajo me Greqinë, ku morëm një fitore historike. Mposhtëm kampionët e Europës. Edhe në ndeshje të tjera kemi bërë paraqitje të mira dhe kemi kujtime të mira.

KOMBËTARJA AKTUALE- Sa i takon ndryshimit të brezave, koha bën të veten. Ne patëm fatin të shohim ekipin në Europian, e kemi ëndërruar të gjithë diçka të tillë. Kam shpresë që të rikthehemi sërish dhe të marrim pjesë në Europian, pse jo edhe në Botëror. Brezi aktual është i mirë, me trajnerin Reja që po gërsheton brezat. Uroj të marrim rezultate pozitive në vazhdim. /vipsport.al/