Bardhi: Më kanë thënë se do më rrëmbejnë derisa të mbarojë ndeshja me Kosovën, kam shumë oferta

Enis Bardhi është lojtari i vetëm me origjinë shqiptare, që luan në La Liga. Mesfushori shkupjan prej tre sezonesh aktivizohet me Levanten, ku luan rregullisht dhe është një nga lojtarët kryesorë të ekipit. 24-vjeçari përfaqëson kombëtaren e Maqedonisë së Veriut dhe në një lidhje me Super Sport, ai foli për ndeshjen me Kosovën dhe të ardhmen.

NDESHJA ME KOSOVËN- Kjo ndeshje ka peshën e vet dhe ne duam të jetë një takim i pastër. Shpresoj të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, pasi na ka marrë malli edhe të luajmë. Unë kam dëshirë të luhet me tifozë, pasi është një ndeshje e rëndësishme sepse dy skuadrat kërkojnë të shkojnë në Europian. Në fushë jemi profesionistë dhe luajmë për fitore, ndërsa tifozët janë për të shijuar ndeshjen.

KOSOVA- Ka shumë kualitete si ekip, por mendoj se ne kemi më shumë eksperiencë se ata. Kosova ka lojtarë, që luajnë në ligat më të forta, por ne kemi më shumë ekpseriencë dhe një gabim do të kushtojë shumë.

NGACMIMET- Kam pasur shumë mesazhe para se të anullohej kampionati, më kanë thënë që do të marrim në Kosovë dhe nuk do të lëmë deri sa të mbarojë ndeshja. Kam edhe mesazhe negative, por unë jam mësuar dhe të gjithë e dimë. Më vjen pak zor ta komentoj këtë ndeshje pasi, nënën e kam nga Kosova, ndërsa babin nga Maqedonia e nuk i ndaj dot.

STËRVITJA- Klubi na ka lajmëruar se sot do të kishim bërë disa teste dhe e kishim plan për të nisur në 4 maj stërvitjen me nga dy persona. Është shtyrë për në 11 maj dhe mendoj se në këtë datë do të nisim stërvitjen. 

E ARDHMJA– Ka pasur interesim nga disa skuadra, por tani është koha e pandemisë dhe nuk ka shumë lëvizje. Nëse ka ofertë konkrete unë kam dëshirën t’i shqyrtoj. Dëshiroj të luaj në La Liga, por kam qejf të provoj edhe eksperienca të reja. /vipsport.al/