Argjentinasit insistojnë: Interi-Mesi, e vërtetë! Kanë nisur negociatat

Pak ditë më parë, Masimo Morati, ish-presidenti i Interit deklaroi se zikaltërit duhej të bënin maksimumin për të sjellë Leo Mesin në Milano. Duket se klubi e ka dëgjuar dhe ka nisur bisedimet me përfaqësues të argjentinasit, ose të paktën kështu pretendojnë nga Argjentina, ku “TNT Sports” i ka dhënë zë marrëveshjes së bujshme.

Një prej gazetarëve të njohur të rrjetit televiziv ka treguar se drejtuesit zikaltër po punojnë me seriozitet për të bërë të mundur këtë transferim që do të ishte shumë i bujshëm e që do të ndryshonte panoramën e futbollit në kontinent pas krizës së koronavirusit.

“Nuk është vetëm një ëndërr. Leo ka edhe ofertën e Njuëll’s për t’u kthyer në vendlindje, por Interi po shtyn realisht dhe është shumë e vërtetë ajo që ka thënë Morati. Ka një negociatë të gatshme, pastaj do të jetë vendimi i Mesit. Por është e sigurt që Interi po punon për këtë çështje”, theksoi ai.

Sigurisht, këto janë lajme që bëjnë të ëndërrojnë tifzët e klubit zikaltër, të cilët pas merkatos së shkëlqyer që bëri klubi në vitin e fundit duke afruar emra si Lukaku e Eriksen, mund të shpresojnë se klubi do të bëjë hapin e radhës dhe të sjellë në Itali  një emër si Lionel Mesi, sidmos nëse UEFA mbyll një sy për Fair Play Financiar. /vipsport.al/