Anglia do të ndjekë shembullin e Belgjikës, pritet mbyllja e kampionatit pa u luajtur

Premier Liga po mendon që të mbyllë kampionatin e këtij viti pa kthyer lojtarët në stërvitje e në fushën e lojës, duke ndjekur shembullin e Belgjikës. Lajmin e jep Pierpaolo Marino, shefi ekzekutiv i Udinezes, klub i cili ka të njëjtë pronarë me Uotfordin në elitën e futbollit anglez.

“Federata belge ka sanksionuar fundin e kampionatit të saj, pavarësisht kërcënimeve për sanksione nga UEFA. Anglia po bëhet gati të publikojë një vendim të ngjashëm pasi situata atje po bëhet shumë e  rëndë. E kam fjalën për Premier Ligën”, deklaroi drejtuesi italian.

“Tentativa për të folur për të ardhmen e futbollit në një periudhë të afërt? Shpresoj që të mund të jetojmë përsëri futbollin para shpërthimit të koronavirusit. Ne duhet t’i shmangemi këtij rreziku, nuk ka rëndësi se sa kohë do na duhet. Jam i shqetësuar për sezonet e ardhshme, jo për atë të vjetrin”, tha ai, duke bërë të qartë se mendon që edhe në Itali duhet të bëjnë të njëjtin lloj argumentimi si në Belgjikë e Angli. /vipsport.al/