Adriano-Lukaku, shkëmbim batutash online: Bashkë do kishim shënuar 70 gola

Romelu Lukaku dhe Adriano kanë qenë protagonist të një bashkëbisedimi shumë interesant në profilin zyrtar të Interit. Mes batutash por edhe kuriozitetesh për eksperiencën e tyre zikaltër, sulmuesi aktual dhe “Perandori” argëtuan mijëra tifozë që u futën t’i ndiqnin në këtë diskutim shumë interesant.

“Herën e parë që luajta isha shumë nervoz, nuk e njihja ambientin meqë vija nga Brazili. Për mua ishte një ëndërr. Por më pritën mirë, më kujtohet që në ndeshjen e parë më shumë shihja tifozët sesa ndeshjen. Ishte një emocion i papërshkrueshëm”, filloi Adriano. “Më kujtohet ndeshja e parë. Shihja fushën, pastaj u ktheva nga tifozët, nga mamaja dhe djali im. Mendoja golat e tu dhe ato të Ronaldos, e dija që isha në një klub të madh. Për mua goli më i bukur që ke shënuar është ai kundër Romës”, kujtoi Lukaku.

“I pari që kam shënuar është ai me goditje dënimi ndaj Real Madrid, pastaj është ai në Inter-Udineze në “San Siro”. Ai ndaj Romës ishte me fat! Kam mbyllur sytë dhe godita me force. E imagjinon të kishim luajtur bashkë në sulm? Edhe ti je një gjigand, do të kishte qenë fantastike”, vijoi braziliani.

“Unë e ti bashkë? Do të shënonim 70 gola. Jam shumë i ngjashëm me ty, bëjmë gola por luajmë shumë për skuadrën. Shpresoj të bëj atë që ke bërë ti”, u përgjigj Lukaku.

Më pas Adriano tregoi eksperiencat me trajnerët në Serinë A. “Trajenri që më ka ndihmuar më shumë ishte Prandeli te Parma. Pastaj te Interi si Mançini, ashtu edhe Murinjo, jam shumë i lidhur me të tre. Kam qenë me fat që i kam pasur si trajnerë”, tregoi ai. /vipsport.al/