Koeficienti nuk ishte kurrë opsion, UEFA vendos si caktohen skuadrat për Europën

Mbledhja e sotme e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s i ka dhënë fund të gjitha dyshimeve mbi mënyrën se si do të veprohet me skuadrat pjesëmarrëse në Kupat e Europës nëse kampionate të ndryshme në kontinent nuk mbyllen. Organizata ndërkombëtare ka sugjeruar që të mbyllen kampionatet për të evituar kokëçarje, por në të vërtetë ka miratuar planin sot se si do të veprohet për ato kampionate që për shkak të koronavirus nuk mund të kthehen në fushën e lojës brenda afateve.

Gjatë ditëve të kaluara qarkulloi në media të ndryshme opsioni i caktimit të skuadrave pejsëmarrëse nëpërmjet koeficientit ndërkombëtar të 5 viteve të fundit, por diçka e tillë nuk ishte asnjëherë në diskutim nga UEFA. Ky ka qenë një propozim i jashtëm në fakt e jo i UEFA-s, por kjo e fundit e ka hedhur menjëherë poshtë. Edhe në bisedimet e të martës me sekretarët e Federatave, e as sot, kualifikimi sipas koeficientit UEFA nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi.

Ndërkohë, vendimi i institucionit është që do të merret parasysh merita sportive. Udhezimi është që të mbyllen kampionatet, por nëse nuk do të mbarojnë në kohë, atëherë do të merret parasysh merita sportive, që do të thotë klasifikimi në momentin e ndërprerjes së kampionatit apo sistemi “pikë për ndeshje” në ato kampionate ku skuadrat kanë luajtur numër të ndryshëm ndeshjesh. Zgjedhja për të mbaruar apo jo kampionatet në fushë, u kalon plotësisht Federatave dhe praktikisht rregullave të vendosura nga shtetet përkatëse sa u përket sigurisë për rifillimin e ndeshjeve. /vipsport.al/