Abazaj, Rroca dhe Bregu/ Rrëfehet treshja e famshme e Luftëtarit: Kishim harmoni të madhe

Sot janë ndarë edhe pse dy prej tyre vazhdojnë të jenë në një skuadër, Kukësi. Bëhet fjalë për treshen e famshme të Luftëtarit, Eduart Rroca, Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregu. Në klubin gjirokastrit kjo treshe mori famë dhe arriti t’i jepte një tjetër dimension Luftëtarit duke e dërguar skuadrën në Europë. Kjo treshe është bashkuar edhe njëherë teksa kanë folur për Supersport, ndërsa kanë pranuar se kishin një harmoni të madhe. Ndërkaq, Rroca është shprehur se përmbysja e Tiranës në sfidën ndaj Kukësit, i dëmtoi shumë.

Abazaj- “Për sa i përket stërvitje përpiqemi të mbajmë trupin në formë, duke bërë stërvitje në kushtet që jemi. Harmoni te Luftëtari ka qenë shumë e mirë. Vlerësimi ishte për të gjithë si ekip dhe jo si individë. Ofertë nga Partizani? Unë jam lojtar i Kukësit dhe dua të jap maksimumin këtu. Unë nuk e mendoj diçka të tillë. E ardhmja? Do zgjedh ku të jetë më e përshtatshme. Dëshira e vetme është të dalim nga karantina dhe të shohim pastaj”.

Rroca- “Jemi stërvitur pak në shtëpi dhe kemi bërë vrap. Mundohemi që ta ruajmë formën për të mos e nisur nga zero. Te Luftëtari ai harmonizimi që kishimn jashtë fushe na ndihmonte brenda fushës. Ishin lojtarë shumë të mirë dhe mbajmë kontakte ende. Kur ne festonim golat shkonim te tifozë, ndërsa Albano Aleksi shkonte festonte te konvikti i vajzave.(qesh) Ka pasur raste kur na vonoheshin edhe rrogat. Përmbysja e Tiranës? Nuk e menaxhuam si duhet dhe na iku nga duart. Na dëmtoi shumë, pro kemi kohë të rikuperojmë. E ardhmja? Çdo lojtar dëshiron të luajë jashtë dhe ia uroj të gjithëve ta realizojmë këtë”.

Bregu- “Kemi bërë stërvitje në kushtet e shtëpisë dhe më pas kemi dalë edhe jashtë. Te Luftëtari kishim një harmoni të madhe mes të gjithë lojtarëve. Përveç se ishim shokë ekipi ishim edhe në jetën e përditshme. Qëllimi im është që të punoj çdo ditë për Skënderbeun dhe çfarë të jetë e shkruar do ndodhë”. /VipSport.al/