Zyrtari i Lacios sulmon Juventusin: Do titullin në tavolinë, që të përqendrohet te Champions

Shpërthejnë polemikat në Itali sa i përket vazhdimësisë apo jo të këtij sezoni në Serinë A. Një pjesë e klubeve kanë mbështetur fuqimisht idenë që të vazhdojë sezoni dhe në krye të listës është Lacio, që pretendon se mund të luftojë deri në fund për titullin kampion. Përgjegjësi i departamentit të komunikimit të Lacios, Arturo Diakonale, nuk ka ngurruar të shkojë deri aty sa të akuzojë direkt Juventusin se po përpiqet të mbyllë para kohe kampionatin për interest e tij.

“Interesimi legjitim I Lacios është të mbyllë rregullisht kampionatin, nuk lind nga pretendimi për të fituar titullin në tavolinë, por me shpresën që ta fitojë në fushë. Ky interes ka të njëjtin legjitimitet me atë që do të dëshironte të anullohej kampionati për të pasur titullin kampion në tavolinë dhe për t’iu kushtuar vetëm Ligës së Kampioneve apo për të evituar një rënie shktaërrimtare nga kategoria”, ishin fjalët e tij në një postim në rrjetet sociale.

Fjalë që i drejtohen pjesërisht Juventusit që mban vendin e parë e do të kishte kohë të përgatiste vijimësinë në Champions nëse anullohet kampionati Italian, si dhe Breshias, e cila ishte e para që kërkoi që kampionati të anullohej, ndërsa aktualisht mban vendin e fundit në Serinë A dhe në këtë mënyrë shpreson të mbijetojë. /vipsport.al/