Zhiru tregon prapaskenat me Konten dhe Igli Taren: Prita deri në orën 12 të mesnatës

Olivier Zhiru ka provuar në çdo mënyrë që të largohet nga Çelsi dhe deri në minutën e fundit të 31 janarit ka pritur se mos bëhej pjesë e Interit, ose skiadrës tjetër që insistoi për të, Lacios. Në një intervistë për TF1 ai ka treguar realitetin e negociatave që kishte bërë me dy klubet italiane, duke konfirmuar se bisedimet kishin qenë shumë pranë finalizimit.

“Kam jetuar 6 muaj të vështirë, kisha dëshirë të ndryshoja ambient dhe të gjeja përsëri fushën dhe buzëqeshjen. Bëra gjithçka, por Çelsi vendosi si kusht para se të më linte të largohesha, gjetjen e një zëvendësuesi. Nuk u bë e mundur, edhe pse prita deri në mesnatën e 31 janarit që t’i bashkohesha Interit. Ose edhe Lacios, e cila në fund hyri në garë”, shpjegoi sulmuesi të cilit këtë verë i përfundon kontrata me londinezët.

“Për mua, projekti më interesant ishte ai i Interit. Kisha folur me Konten i cili më kishte transferuar te Çelsi dhe vlerëson profilin tim, një avantazh, përtej faktit se Interi luan në Ligën e Kampioneve dhe është një klub i madh. Por edhe Lacio e provoi dhe drejtuesit erdhën deri në Londër që të mundoheshin që të bënin diçka. Por isha i bllokuar dhe u desh të dorëzohesha para idesë që duhej të qëndroja këtu”, shpjegoi Zhiru duke kujtuar se si Igli Tare në ditën e fundit të merkatos kishte udhëtuar drejt Londrës për të bindur Çelsin, por pa sukses.

E ardhmja ndërkohë mbetet një mister. “Gjithçka e mbyllur me Interin? Ku i dihet…”, komentoi francezi. /vipsport.al/