VIDEO/ Nis misioni i radhës për Sindikatën e Futbollistëve, e tregon përmes një videoje të Mesit e Ronaldos

Sindikata e Futbollistëve të Shqipërisë me në krye Andi Lilën ka nisur të funksionoje për qëllimin e saj primar, mbrojtjen e futbollistëve në situata të vështira në lidhje me kontratat apo dëmtimet e tyre. Pasi mbylli çështjen e bamirësisë, ku me paratë e turneut miqësor të legjendave në “Air Albania” ndërtoi shtëpinë e Altin Ricës, tashmë një mision akoma më i vështirë ka nisur.

Qëllimi i radhës është mbledhja e sa më shumë futbollistëve që do të mbështeten te kjo sindikatë për të zgjidhur problemet e tyre. Ditën e sotme në llogarinë zyrtare të Sindikatës në Instagram është postuar një video në të cilën shfaqen gjithë futbollistët më të mëdhenj të Europës dhe Botës, duke shprehur mbështetjen e tyre ndaj FIFPro.

FIFPro është përfaqësia e lojtarëve në të gjithë globin dhe në të së shpejti pritet të bëjë pjesë edhe Sindikata jonë e futbollstësve, që fillimisht nisi si një nismë vullnetare e Andi Lilës dhe disa futbollistëve të tjerë dhe dalëngadalë po merr formën e një institucioni serioz, që kërkon edhe mbështetjen e lojtarëve për të arritur të forcohet dhe të konkurrojë me fuqinë e presidentëve apo institucioneve të tjera që shkelin të drejtat e punonjësve të tyre.

“Motivim! T’i ndjekim këta kampionë si shembuj edhe jashtë fushës së blertë! Komuniteti i futbollistëve duhet të jetë gjithmonë i bashkuar, vetëm në këtë mënyrë askush s’mund të na nëpërkëmbë! Mbro karrierën tënde, mbro të ardhurat e tua, mbro familjen tënde!”, shkruan Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë. /vipsport.al/