VIDEO / Llullaku merr vendin e Bakajt me asiste, edhe Shakhtori fiton në kampionat

Largimi i Elis Bakajt drejt Dinamo Brest ka dobësuar padyshim Shakhtor Soligorsk, por klubi nuk ka vonuar që të gjejë një tjetër shqiptar si liderin e sulmit të kësaj skuadre. Azdren Llullaku, i transferuar te ekipi bjellorus që në edicionin e kaluar, nuk ka vonuar që të bëhet protagonist i rëndësishëm i lojës së kësaj skuadre, duke u kthyer në organizatorin që i mungonte pas largimit të Bakajt.

Në ndeshjen e sotme në transfertë të Shakhtor ndaj Gorodeja, ai luajti titullar dhe ishte një element shumë i rëndësishëm i fitores 2-0, duke pasur gisht në të dy golat që realizoi ekipi i tij. Shakhtor dominoi ndeshjen dhe shpërdoroi një penallti në pjesën e pare, ndërsa në të dytën Llullaku filloi të shfaqej në versionin e organizatorit.

Kështu, ai nisi aksionin e golit të parë të shënuar nga Diasamidze në minutën e 56, ndërsa në fundin e sfidës, ai dha asistin për golin e dytë të shënuar nga Podstrelov, duke u zëvendësuar më pas nga trajneri i skuadrës së tij si zgjedhje për të kaluar minutat e fundit. Një paraqitje e rëndësishme për lojtarin i cili me sa duket do të ketë një rol shumë më të rëndësishëm në klubin e tij ku vitin e kaluar nuk kishte shumë fat me dëmtimet. /vipsport.al/