VIDEO / Bakaj protagonist, Dinamo Brest merr fitoren e parë të sezonit në Bjellorusi

E gjithë bota është ndalur, por jo në Bjellorusi, ku jeta vazhdon normalisht dhe futbolli po ashtu, pavarësisht kërcënimit të koronavirusit. Bjellorusët kanë vendosur që të injorojnë rrezikun dhe vazhdojnë jetën normalisht sipas planit të tyre, ku përfshihet edhe futbolli.

Ndaj Elis Bakaj ka zbritur përsëri sot në fushën e lojës me Dinamo Brest, për të dhënë kontributin e tij për skuadrën kampione të Bjellorusisë në javën e dytë të kampionatit që sapo ka filluar. Nëse në javën e parë ekipi nuk regjistroi më shumë se një barazim pa gola, sot në transfertën ndaj Slutsk, ai arriti fitoren e parë, me Bakajn si protagonist.

I futur në fushën e lojës si titullar, Bakaj ishte ai i cili në minutën e 19 të sfidës ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi, të cilën Milevski e ktheu në gol pas një devijim të saktë para portës kundërshtare. Ky do të ishte goli i vetëm sfidës, pasi asnjë nga skuadrat nuk arriti të tundte më rrjetën, me Bakajn i cili kishte dy mundësi të mira shënimi por nuk i shfrytëzoi siç duhet për të realizuar golin e tij të parë në ndeshje zyrtare me ekipin të cilit iu bashkua në janar. /vipsport.al/