Topllari për “VipSport”: Pogradeci nuk bën kampionatizëm, e kemi treguar në transferta se e meritojmë Superioren

Në Kategorinë e Parë ka futbollistë që spikasin, e madje që mund të luajnë pa problem edhe në Superiore. Një nga skuadrat që u beson më shumë lojtarëve vendas është Pogradeci. Në radhët e skuadrës liqenore që ka qenë pretendente vitet e fundit, spikasin kualitete si: Dramolli, Pere, Shkulaku e Alillari, pa harruar edhe të rikthyerit Shyti, Liçkollari, apo Berberi e Pura që ka shumë eksperiencë ashtu si dhe Jahaj.

Pretendimet

Në një prononcim për “Vipsport.al”, një nga lojtarët e spikatur këto vitet e fundit te “liqenorët”, golashënuesi Eldjon Topllari ka pohuar: “Ne e shohim futbollin si argëtim dhe jemi i vetmi ekip që s’bëjmë kompromise në kampionat. Luajmë futboll të bukur dhe kudo shkojmë për të fituar. Ndoshta ngaqë jemi pa një president jemi në Kategorinë e Parë prej vitesh. Sepse po të kishim president, me lojtarët që ka Pogradeci qëndron në mesin e tabelës edhe në Superiore. Por, ky seozn do të jetë shumë ndryshe dhe këtë e kemi treguar që në start. Kemi bërë shumë mirë, në shumë ndeshje dhe mendoj se ka ardhur më në fund moment i Pogradecit që të luajë në elitë. Janë shumë djem vendas që janë në kulmin e karrierës dhe të aftë që ta çojnë skuadrën e qytetit të tyre në elitë”, – tha 27-vjeçari Topllari, autori i 3 golave të realizuar deri më tani.

Karriera

E veçanta e Topllarit është se në karrierën e tij, prej afro një dekadë ka bërë katër role. “Po, është e vërtetë, luaj si mesfushor nga të dyja krahët, pas sulmuesve, por edhe sulmues. Për të qenë i sinqertë më ka ecur, i kam bërë më së miri, e madje kam shënuar çdo sezon gola. Por këtë seozn nuk kan ërëndësi golat, duhet që të japim të gjithë më të mirën tonë dhe të bëjmë relitet ëndrrën e tifozëve tanë që Pogradeci të jetë edhe njëherë në elitë”, – tha një nga lojtarët më të mirë të Grupit B në Kategorinë e Parë, Eldjon Topllari që luan sezonin e tetë radhazi.

E.S./Vipsport.al/