Tare: Film horror kur shoh kamionë me arkivolë, nuk do e marr pagën

Igli Tare tashmë e ka ndërtuar jetën e tij në Itali, ku jeton prej dekadash, por që ndodhet në një situatë shumë të vështirë për shkak të përhapjes së frikshme të koronavirusit. Covid-19 ka shkaktuar mbi 10 mijë viktima në të gjithë vendin. Kjo situatë e ka prekur shumë Taren, që e krahason me luftën. Vlonjati për “Sport1” foli edhe për pagat, ku tha se të tijën me shumë mundësi nuk do e marrë fare.

“Duhet ende ta mendojmë. Futbollistët tanë janë në kontakt mes tyre, por nuk kemi biseduar ende. Por, e mendoj dhe se shumë shpejt edhe ne drejtuesit dhe do të shkurtojmë rrogat ose do t’i presim fare. Duket sikur jetojmë një film horror.

Në fillim gjithçka u mor pak lehtë. Tani nuk flasim për vetëm një situatë, por një luftë. Nëse sheh kamiona ushtarakë me arkivole e kufoma brenda tyre, atëherë mbetesh i shokuar, pa fjalë. Dhe numri i të vdekurve çdo ditë është i tmerrshëm, pa fjalë! Kjo është një katastrofë dhe shkatërrim për gjithë vendin”, u shpreh drejtori sportiv i Lacios. /vipsport.al/