Sulmuesi i Kukësit për median italiane: Në këto momente është më mirë të jem në Shqipëri, kampionat fizik

Godberg Kuper u transferua në merkaton e janarit tek skuadra e Kukësit, si një alternativë për sulmuesin kryesor, Vasil Shkurtaj. Sulmuesi ka bërë mirë në minutat që i janë dhënë, megjithatë nga ganezi me pasaportë italiane pritet edhe më shumë. Së fundmi, 22-vjeçari ka dhënë një intervistë për Tuttomercatoweb, ndërsa ka folur për situatën nga Koronavirusi në Itali aty ku ka dhe familjen.

Kuper thekson se në këto momente është më mirë të jetë në Shqipëri, ndërsa shprehet se Kategoria Superiore është shumë fizike. “Familja ime jeton në Itali, në një provincë të Bergamos. Do të preferoja të kthehesha në shtëpi por kjo është e pamundur. Shikoj që rastet nga Koronavirusi vazhdojnë të shtohen, atëherë më mirë është të qëndroj këtu”. Pezullimi i kampionatit? “Të premten ishim në hotel për të bërë edhe stërvitjen, por më pas u pezullua e gjitha. Jam i shqetësuar sepse shoh lajmet në Itali dhe rastet vazhdojnë të rriten. Unë jam mirë dhe po qëndroj vullnetarisht në karantinë.

Nuk kam asnjë simptomë, por mendja ime është në Itali. Jam në kontakt përditë me familjen time, nuk kalon asnjë ditë pa folur. Bergamo është më e prekura nga kjo situatë dhe sot është e gjunjëzuar, por do të ringrihet sërish. Të gjithë duhet të zbatojnë rregullat e qeverisë, përndryshe situata do të komplikohet. Sa i përket stërvitjes çdo gjë është pezulluar, edhe pse disa skuadra kanë qenë në stërvitje së fundmi. Do të më pëlqente të vrapoja, por është më mirë të mos e bëj si masë parandaluese. Bëj stërvitje në shtëpi çdo ditë dhe kështu koha kalon”.

Sezoni juaj deri më tani? “Impakti ka qenë i fortë, në Shqipëri kampionati është shumë fizik. Dua të shënoj sa më shumë gola dhe të marr sa më shumë vëmendje. Dhe, mbase për t’u rikthyer në Itali”. Modeli që ndiqni? “Për nga lëvizjet, Duvan Zapata. Më pëlqen shumë edhe Lukaku, si dhe për nga pikëpamja futbollistike, Baloteli. Shikoj, studioj dhe kërkoj të mësoj”, u shpreh Kuper. /VipSport.al/