Shevçenko kujton dramën e fëmijërisë: Më duket sikur po rishoh kur shpërtheu Çernobili

Me të gjithë botën në izolim, të mbyllur në shtëpi e duke u kujdesur në mënyrë ekstreme që të mos infektohet, në Ukrainë është kthyer drama e viteve ’80, pas shpërthimit të centralit të Çernobilit. Edhe ish-sulmuesi i Milanit, Andri Shevçenko, e ka përjetuar atë periudhë të trishtë dhe nuk ka ngurruar të flasë rreth përjetimeve të tij për “Sky Sport”.

“Në këtë moment jam në Londër, jetoj jashtë qytetit, por jam i mbyllur në shtëpi prej thuajse 10 ditësh. Ne, si të gjithë të tjerët, e përjetojmë këtë moment të vështirë me një shpresë se situata do të përmirësohet. E vetmja gjë që duhet bërë është të respektojmë rregullat e qeverisë, të qëndrojmë në shtëpi dhe t’u japim mundësinë mjekëve të bëjnë punën e tyre. Të gjithë mjekët në botë, infermierët, apo vullnetarët, po bëjnë një punë të madhe dhe ju jeni heronjtë e vërtetë”, tha ish-sulmuesi ukrainas që është ndalur më pas pikërisht te ajo dramë e fëmijërisë.

“Kam përjetuar një moment shumë të ngjashëm me këtë kur shpërtheu Çernobili. Ai ishte një moment i vështirë por e vetmja gjë që duhet të bëjmë është që të mbështetim vendimet e qeverisë, të mos mundohemi të dalim nga shtëpitë. Shumë persona që mund të infektojnë të tjerët, mund të mos kenë simptomat e virusit. Por nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Do të dëshiroja të përshëndetja të gjithë italianët. Jam gjithmonë pranë jush, ju dërgoj një përqafim të fortë”, u shpreh Shevçenko, i cili ka kaluar pjesën më të suksesshme të karrierës së tij në radhët e Milanit në Itali. /vipsport.al/