Sërish probleme me rrogat te Vllaznia, e konfirmon edhe Bashkia e Shkodrës

Bashkia Shkodër ka reaguar së fundmi pas lajmit të bërë publik në mediat lokale për vonesat në lidhje me pagat për disa pjesëtarë të klubit të Vllaznisë. Bëhej fjalë për trajnerët e Akademisë si dhe punonjësit e administratës ku supozohet se janë më shumë se 4 muaj pa u paguar.

Në fakt, ky problem u duk sikur u zgjidh në muajt e fundit të vitit të shkuar, por duket se historia po përsëritet në Shkodër…

Pas këtyre lajmeve nuk ka vonuar reagimi i Bashkisë së Shkodrës ku shprehen të shqetësuar për vonesat proçeduriale dhe se e gjitha ka të bëjë me mos miratimin e pasqyrave financiare nga Këshilli Bashkiak.

Më poshtë edhe njoftimi që ka dal edhe në faqen zyrtare në “Facebook” të Bashkisë së Shkodrës, si më poshtë…

NJOFTIM:

Bashkia Shkodër po ndjek me shqetësim situatën e krijuar pranë KF Vllaznia, për shkak të mos miratimit të pasqyrave financiare nga ana e Këshillit dhe dështimit disa herë të mbledhjes së Asamblesë së KF Vllaznia (Këshillit Bashkiak). Të gjendur në këtë situatë, dhe në mungesë të një vendimmarrje nga Këshilli, ka ngelur pezull edhe procesi i likuidimit të pagesave për punonjësit e KF Vllaznia. Stafi që administron KF Vllaznia sh.a, është i gatshëm të likuidojë të gjitha paratë menjëherë, sapo të ketë vendimmarrjen për tabelat financiare. Bashkia Shkodër, shpreh publikisht shqetësimin që kjo proçedurë po vonon, duke vështirësuar punën e Bashkisë Shkodër dhe të KF Vllaznia sh.a!

E.Saliu/VipSport.al/