Sadiku: Në Spanjë koronavirus nuk u mor seriozisht, unë dhe të tjerët talleshim në dhomat e zhveshjes

Spanja është duke përjetuar një situatë tejet të vështirë nga Koronavirusi. Pas Italisë, spanjollët janë kthyer në vatrën më të madhe në Europë, e këtë duket se po e vuajnë nga fakti se virusi nuk u mor seriozisht që në fillimet e tij. Këtë e ka theksuar edhe Armando Sadiku.

Sulmuesi i kombëtares që aktivizohet me Malagën në Spanjë, nëpërmjet një lidhje për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, u shpreh se edhe ai së bashku me lojtarët e tjerë të Malagës është tallur me virusin. Por, situata ndryshoi dhe u konsiderua serioze pas ndarjes nga jeta të një trajneri 21-vjeçar, i cili gjithashtu stërviste fëmijët e dy lojtarëve të Malagës.

“Kemi dy javë të mbyllur në shtëpi dhe faleminderit Zotit jemi mirë deri tani. Fatmirësisht nuk ka asnjë të infektuar te Malaga, ndërsa në Spanjë i kanë marrë masat me vonesë dhe erdhi Koronavirusi menjëherë, me shumë të prekur. Të gjithë qytetarët janë futur në shtëpi tani. La Liga na ka dërguar testet edhe neve, në çdo klube, por nuk i kemi bërë pasi nuk kemi simptoma.

Sa hap televizorin nuk dëgjon asgjë tjetër veçse: “Koronavirus, virus, vdekje”. Po jetojmë një moment të vështirë. Unë jam person pozitiv dhe mendoj kështu, që do t’ia dalim sa më shpejt. Në Spanjë nuk e morën seriozisht. Ne në dhomat e zhveshjes vetëm talleshim dhe bënim shaka me Koronavirusin. Unë gjithashtu bëja video me maska dhe bëja shaka. Por edhe doktori i ekipit na thoshte që nuk ka asgjë, e kalon lehtë Koronavirusin, nuk ka gjë të rrezikshme dhe është vetëm për të moshuarit.

Pastaj kur vdiq ai trajneri 21-vjeçar në Malaga që kishte edhe leucemi, ditën tjetër na kanë dërguar direkt në shtëpi. Kjo pasi tek ky trajneri ishin dhe dy fëmijë të lojtarëve tonë dhe gjendja u bë serioze. Kam një shtëpi dhe tarracë të madhe dhe po stërvitem këtu, gati çdo ditë. Tani këtu po i zbatojnë shumë rregullat në Spanjë, njerëzit nuk dalin dhe kur e bëjnë këtë gjë për ushqimet, janë të pashoqëruar nga askush tjetër. Më kishte ardhur ftesa nga Kombëtarja dhe do isha gati për këto dy ndeshje miqësore, por janë anulluar siç e dini”, u shpreh Sadiku. /VipSport.al/

atalar escort