Rrahmani: Kam mbetur vetëm, te Napoli shkoj në korrik, me Maqedoninë shpresoj të luhet me tifozë!

Amir Rrahmani, mbrojtësi shtatlartë i përfaqësuesë së Kosovës tashmë që kampionatet janë ndërprerë ai flet se si po e kalon  këtë periudhë. Në një intervistë për “Supersport”, ish-mbrojtësi i Partizanit ka pohuar: “Nuk është e njëjta gjë stërvitja, kemi bërë palestër me trajnerin personal po është pak ndryshe se është çrregulluar mënyra e jetesës. Në kohën që kemi fjetur gjithmonë, nuk na zë më gjumi, ndaj është e çuditshme”.

Karantina

“Kjo është dita e 16 në karantinë. Ndeshja me Sampdorian ishte para dy javësh. Pas asaj ndeshje ishim të izoluar se kuptuam se 5-6 lojtarë kishin dalë pozitiv. Ne që kemi pasur kontakte me ta u desh të izolohemi dy javë, pastaj ishte Juventusi, edhe Fiorentina që doli futbollisti pozitiv. Ne kemi pasur izolim që nuk kemi pasur të drejtë të dalim. Zakanji ka dalë pozitiv, por deri tani nuk na është bërë asnjë test se nuk kemi pasur simptoma. Kur të fillojmë stërvitjet, do të bëjmë ato testet”.

Shtyrja

Siç edhe dihet, Amir Rrahmani, në verë nis një eksperiencë të re me skuadrën e njohur të Napolit. I pyetur se nëse kjo shtyrje zgjat, çfarë do të bëjë me skuadrën e tij të re, ai ka shtuar: “Në korrik fillon kontrata me Napolin, nuk e di se çfarë do të bëhet. Siç e ka vendosur presidenti i Italisë, deri me datën 4 prill duhet të jemi të gjithë brenda. Por nuk dihet ende një datë e saktë”.

Statusi

I pyetur se në këto moment a mërzitet në shtëpi dhe a do të ishte më mirë që të ishte i lidhur, mbrojtësi shtatlartë shton se: A është mirë të jesh beqar?! Tani jo, kam mbetur me biçikletën time”.

Kosova

Në fund, flet edhe për vendin e tij, Kosovën, ku edhe siç dihet përfaqësuesja do të luajë një ndeshje mjaft të rëndësishme me Maqedoninë e Veriut. “Më mirë që u shty ndeshja me Maqedoninë e Veriut se po ta luanim, do ta luanim pa tifozë. E provova me Sampdorian, ishte një ndeshje pa ndjenja, është shumë e vështirë të luash pa tifozë”.

/Vipsport.al/