Rejnxhërs cakton Kamberin të falënderojë mjekët, sulmuesi largohet nga Skocia

Florian Kamberi është kthyer në një kohë shumë të shkurtër në një nga emrat më të vlerësuar në radhët e e Rejnxhërs, me tifozët e kësaj skuadre që duan që ai të qëndrojë edhe në vitin e ardhshëm. Ndaj edhe klubi skocez nuk ka ngurruar që të caktojë pikërisht sulmuesin që ka vendosur të luajë për Shqipërinë, si atë i cili do të falënderonte publikisht mjekët dhe stafet mjekësore që po punojnë tani në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.

Në faqen e klubit të Rejnxhërs është publikuar mesazhi i sulmuesit, i cili u ka kujtuar tifozëve edhe të ndjekin rregullat në këtë periudhë të vështirë.

“Do të dëshiroja të dërgoja mesazhe dashurie dhe mbështetje nga e gjithë familja e Rejnxhërs për familjet e futbollit anembanë botës.

Do të dëshiroja të falënderoja të gjithë punonjësit e shëndetësisë, mjekët, infermierët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë të tjerët për punën e tyre. Ata meritojnë respektin më të madh për punën e tyre me vetmohim në këtë situatë të vështirë.

Gjithmonë qëndroni në shtëpi, qëndroni të sigurt, lani duart, qëndroni të izoluar dhe kryeni distancim social. Mos rrezikoni. Mendoj se si të gjithë të tjerët pres me shumë padurim që të kthehem të luaj futboll, por kjo situatë është më e rëndësishme se çdo gjë në jetë. Ndaj kujdesuni për familjet tuaja dhe të dashurit, shpresoj t’ju shoh shumë shpejt”, ishte mesazhi i Kamberit.

Pas këtij mesazhi, ai ka bërë gati valixhet dhe është larguar nga Skocia, për të udhëtuar drejt Zvicrës, ku banon familja e tij. Klubi u ka bërë të ditur lojtarëve se meqë pritej të paktën edhe një muaj pushim, mund të largoheshin dhe Kamberi e ka bërë një gjë të tillë, duke zgjedhur që të udhëtojë sa më parë për të qëndruar përkrah familjarëve të tij. /vipsport.al/